Transmetuar më 13-06-2021, 12:23

Shqipëria duket se është në mbyllje të pandemisë së koronavirusit të ri Sars-Cov-2 dhe ka aktualisht numrin më të vogël të të infektuarve në të gjithë Evropën.

Janë vetëm 170 persona pozitivë, ndër të cilët 21 në spital, ku prej tyre 6 janë në gjendje të rëndë.

Ajo që habit është se rastet ditore tashmë janë më së shumti jashtë Tiranës. Edhe numri total i rasteve aktive është në rrethe.

Ja si paraqitet sot, shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Shkodra ka 51 raste aktive, pas saj është Tirana me 44, Berati me 22, Elbasani 14 dhe Lezha 12 raste.

Po ashtu janë edhe qarqet me njëshifror si Durrësi 7, Korça 6, Gjirokastra 5, Dibra 3, Fieri e Vlora nga 2 raste dhe një të vetëm, Kukësi.

Pra siç shihet në hartën e mësipërme, në të gjithë Shqipërinë ka njerëz të infektuar ndonëse numri është modest.

Situata ditore duket të jetë e qëndrueshme, por rastet janë rritur ditët e fundit. Nëse javën e kaluar kishte 2 deri në 5 raste të reja, këtë javë që po mbyllet janë deri në 20 në ditë.

Dje, u kryen 2,916 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:  6 raste në Tiranë, 2 raste në Durrës, 1 rast në Shkodër, Kavajë, Mirditë, Kuçovë.

Që nga nisja e pandemisë më 9 mars 2020, në Shqipëri janë gjetur 132.449 të infektuar mes 754 mijë testeve. Ndër ta 129.826 u shëruar, kurse 2453 humbën jetën.

Këto janë shifrat zyrtare pasi ato faktike vlerësohet të jenë disa herë më të larta. /klea/noa.al