Transmetuar më 15-06-2021, 14:33

Numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se largimi i kryebashkiakut të Mallakastrës nga dekriminalizimi tregoi se Rama është i pafuqishëm për të mbrojtur burgaxhinjtë që e sollën në pushtet.

Opozita shpreh keqardhjen që edhe 61 emra për kryetarë bashkish që Rama kandidoi në zgjedhjet lokale të vitit 2019, nuk arriti dot ti gjente të pastër penalisht dhe rreth 10 prej tyre rezultuan me probleme penale.

Duke u ndalur te rasti i Qerim Ismailajt, z.Bardhi tha se "një tjetër burgaxhi i Edi Ramës do të largohet nga qeverisja" dhe shtoi:

"Megjithëse me 1 vit e gjysëm vonesë, u provua vërtetësia e qëndrimit të Partisë Demokratike se kryebashkiaku ilegjitim i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është i dënuar me burg në Greqi dhe se ai e ka fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Qerim Ismailaj është produkt politik i Edi Ramës, njësoj si mbi 20 kriminelë të tjerë që ai i futi në parlament, i emëroi në bashki dhe vazhdon me ta bashkëqeverisjen për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve dhe bashkë me to, edhe votën e tyre.

Megjithatë, përballë të vërtetës, Edi Rama është i pafuqishëm për të mbrojtur kriminelët që e sollën në pushtet. Herët apo vonë, edhe ai vetë do të përballet me drejtësinë! E vërteta vonon, por nuk harron", tha z.Bardhi lidhur me rastin Ismailaj për të cilin Prokuroria e Përgjithshme dërgoi në KQZ shkresën që gjeni në galeri. /klea/noa.al