Transmetuar më 17-06-2021, 01:08

Thjesht bëni një kërkim në Google dhe rezultati i parë që del lidhur me Xherdan Shaqirin janë "pulpat” e këmbëve. I dyti? Fizik.

Kjo për shkak se lojtari shqiptaro-zviceran i Liverpool (me një eksperiencë të shkurtër tek Interi), 30 vjeç në tetor, është i njohur mbi të gjitha për pamjen e tij më shumë si produkt palestre sesa futbollist.

Nuk është shumë i gjatë, nuk arrin 1.70 metra, por arrin afër 75 kg peshë. I gjithi me masë muskulore. Kjo, nganjëherë, në karrierën e tij e ka ngadalësuar pak.

Dikush është përpjekur ta bëjë atë më “të thatë”, por Shaqiri nuk ndihet keq me muskujt, sepse ky është identiteti i tij.

Nuk është për t’u habitur: ai nuk e ka mendjen të tregojë fizikun gati të skalitur, të kompletuar me foto që tregojnë një trup perfekt.

Legjenda thotë, por duket se ka më shumë se disa konfirmime, se si fëmijë, për të kompensuar zhgënjimin e një dhurate të humbur nga prindërit e tij, ai filloi të kërcejë andej-këndej.

Nga atje, duke pasur parasysh rritjen e pulpave të këmbëve më shumë se bashkëmoshatarët e tij, Shaqiri filloi të bënte stërvitje specifike në gjymtyrët e poshtme.

Stafi i Liverpool u përpoq dhe përpiqet ta vendosë atë në kushte për të shfrytëzuar në maksimum fizikun. Kështu bëri edhe Zvicra, me Klopp i cili nuk mund të mos thoshte:

"Fiziku i tij është i ndryshëm nga të gjithë të tjerët që kam parë ndonjëherë, muskujt e tij janë të pabesueshëm”.

Shaqiri, i cili përveç fizikut ka teknikë dhe imagjinatë, nuk është titullar i Liverpool (vetëm 14 paraqitje në Premier League, sezonin e kaluar) dhe shpesh detyrohet t’i “paguajë faturën” një fiziku “sui generis”.

Kjo u konfirmua nga Klopp: "Lëndimet e tij nuk ishin kurrë serioze, por gjithmonë të mjaftueshme për ta mbajtur jashtë fushave".

Vetë Shaqiri shpesh ka folur për fizikun e tij, sinqerisht: “Unë kam pulpat e këmbëve vërtet të mëdha, por ndonjëherë më nevojitet më shumë kujdes. Ndonjëherë kam më shumë rrezik nga dëmtimet, sepse pulpat e këmbëve janë masive. Sidoqoftë, kjo fuqi më ndihmon shumë dhe mendoj se e vëreni edhe në fushë”.

Jo vetëm këmbët, megjithatë, por edhe flokët, pasi sipas disa thashethemeve angleze, ato nuk janë plotësisht të natyrshme. Natyrisht ekziston dëshira për të bërë mirë me Zvicrën, ku është një nga liderët me mbi 90 ndeshje. Në Itali, me Interin e stërvitur nga Mancini, luajti jo më shumë se 20 ndeshje dhe shënoi 3 gola, gjashtë vite më parë.

"Për mua ai mbetet një lojtar i shkëlqyeshëm", – janë fjalët e trajnerit axurr, që u pasuan nga ato të lojtarit: "Mezi po pres ta shoh Roberto përsëri. Jam i lumtur që gjërat po shkojnë mirë për të, ai është një trajner i shkëlqyeshëm". I pari trajner, ndër të tjerë, që i sugjeroi punë specifike edhe për pjesën e sipërme të trupit. /fredi/noa.al