Transmetuar më 19-06-2021, 05:20

Disa sulmues me armë kanë vrarë katër mësues e dy policë, si dhe kanë rrëmbyer 80 nxënës dhe mësues në një sulm ndaj një shkolle publike në shtetin veriperëndimor Kebbi të Nigerisë, bëri të ditur policia e këtij vendi.

Në një deklaratë sot, Adeleke Adeyinka-Bode, komisari i policisë së shtetit, tha se personat e armatosur sulmuan Kolegjin e Qeverisë Federale, Birnin-Yauri, në Emiratin Yauri të shtetit Kebbi.

"Ata hapën zjarr ndaj policëve përreth shkollës. Gjatë përplasjeve ndërmjet policëve në detyrë dhe banditëve, dy policë dhe katër mësues vdiqën. Pesë mësues u morën, e po ashtu 80 nxënës", tha zyrtari i policisë.

Shumë njerëz u larguan nga zona me frikë pas sulmit, theksuan banorët për AA.

"Njerëzit kanë frikë për një sulm tjetër të mundshëm", tha Isa Abdullahi, një nga banorët e zonës.

Incidenti i fundit ndjek një zinxhir të sulmeve të fundit ndaj shkollave në Nigeri.

Presidenti Mohammadu Buhari ka thënë se nuk do t’u japë terroristëve dhe kriminelëve hapësirë frymëmarrjeje për të rrezikuar integritetin territorial dhe vlerat thelbësore të vendit.