Transmetuar më 19-06-2021, 13:34

Një javë pas frikës më të madhe, Interi shkroi një letër të gjatë për t’iu shpjeguar tifozëve dhe botës sesi i jetuan këto ditë ankthi dhe shprese për Christian Eriksen dhe pse shpesh preferonin heshtjen. Fjalë të thjeshta, të respektueshme dhe plot dashuri, gjithashtu për ta bërë të ditur edhe një herë se kampioni danez ka qenë gjithmonë në qendër të mendimeve të klubit. Sigurisht, edhe të çdo zikaltri tjetër. Ja letra e plotë, e botuar nga “Gazzetta dello Sport”:

"Nuk ishin ditë normale, ato që numëruam nga e shtuna, nga ato momente që na dukeshin kaq të gjata dhe të pakuptimta, nga ajo që dëshironim të ishte thjesht një ëndërr e keqe. Ne kemi heshtur me respekt këto ditë, jemi përhumbur në mendimet tona, lutjet tona, madje edhe psherëtimat tona. Derisa erdhën momentet e lehtësimit, fotot dhe njoftimet për shtyp nga një vend që nuk e dinim deri para disa ditësh, “Rigshospitalet” në Kopenhagë. Atje ishte ti, Christian Eriksen.

Një tjetër hap u hodh të premten. Operimi, dalja nga spitali dhe vizita e shokëve të kombëtares. “Faleminderit për mesazhet e shumta dhe urimet. Ka qenë e pabesueshme t’i shoh dhe t’i ndjej ato. Operimi shkoi mirë dhe jam në gjendje të mirë, duke marrë parasysh situatën që kam kaluar. Ishte e mrekullueshme të shihja sërish djemtë pas ndeshjes fantastike që luajtën dje. Nuk ka nevojë ta them, që do brohoras për ta të hënën kundër Rusisë”, shkruante Eriksen pas daljes nga spitali.

Ne nuk kemi ndalur t’ia dedikojmë mendimet tona Christian, asnjë moment, duke respektuar nga ana tjetër në heshtje një moment kaq delikat dhe personal. Në të njëjtën kohë, shprehjet e dashurisë ishin të shumta, të bukura dhe të natyrshme. Ndërsa ndeshja midis Danimarkës dhe Finlandës filloi në Kopenhagen të shtunën, Romelu Lukaku dhe Achrah Hakimi të dy dolën në fushë me Belgjikën dhe Marokun, duke ia dedikuar golat e tyre Eriksenit. “Chris, të dua”, – bërtiti Romelu para kamerave, një mesazh që ka bërë jehonë kudo. Nderimet erdhën nga të gjitha anët e botës, nga Koreja e Jugut prej golave të Son Heung-min, bashkëlojtar i Christian te Tottenham.

Dridhjet e frikës u kthyen në lehtësim gjatë këtyre ditëve të fundit. Edhe më shumë emocione: fanella e madhe me numër 10, e treguar para ndeshjes së Danimarkës me Belgjikën, në të njëjtin stadium si të shtunën. Loja ndaloi pas dhjetë minutash, kur tifozët duartrokitën, ashtu si edhe lojtarë në fushë, përfshirë Romelu Lukakun. Pankartat, fanellat e treguara nga tifozët dhe ekipet kombëtare, që të gjithë i kushtuan një mendim numrit tonë 24. Të gjitha këto janë momente që përbëjnë përqafimin më të fortë dhe më të përzemërt për Christian Eriksen. Forca Chris, Inter dhe të gjithë interistët janë me ju”.