Transmetuar më 21-06-2021, 08:49

Lorik Cana do të mbahet mend përgjithmonë si kapiteni i kombëtares kuqezi. Ai ka luajtur më shumë ndeshje me Shqipërinë se gjithë të tjerët, është rekordmen në këtë drejtim. Në këto ditë të Kampionatit Europian, analizat e tij janë shumë të kërkuara nga mediat. I ftuar në emisionin “Evropianin Special” në “Klan Kosova”, atij iu bë pyetja nëse do të bëhet një ditë trajner i Dardanëve”.

“Është një karrierë që duhet me u marrë me dëshirën e madhe për ta bërë, përtej aspektit të ndjenjave kombëtare dhe patriotike. Duhet të jesh i përgatitur mjaftueshëm, sepse mund të bësh dëm për veten dhe çfarëdo projekti që merr përsipër, nëse diçka nuk e bën me pasionin e duhur. Besoj se ka shumë individë dhe trajnerë që janë të përgatitur dhe do të jenë të përgatitur para meje për të dhënë kontributin si trajner.

Në çdo aspekt tjetër mundohem të jap kontribut edhe për futbollin në Kosovë, jo direkt për Kombëtaren e Kosovës, por për sportin në Kosovë, për ta zhvilluar sportin atje që fëmijët apo të rriturit të kenë mundësi të merren me pasionin e tyre dhe të rriten njëjtë si në Zvicër, Gjermani, Itali apo vende të tjera. Kjo më pëlqen si sfidë dhe do të vazhdoj të jap një kontribut në atë drejtim”.