Transmetuar më 21-06-2021, 10:21

Kombëtarja italiane, e drejtuar nga Roberto Mancini, është e pandalshme. Si një “rrul” asfaltimi, ajo shtyp gjithçka që i del përpara. Tri ndeshje në “Euro 2020”, tri fitore, me golaverazh 7-0. Me fitoren e djeshme ndaj Uellsit, ekipi kombëtar axurr arriti 30 rezultate pozitive radhazi, pa asnjë humbje; duke barazuar kësisoji rekordin e Vittorio Pozzo. Për më tepër, në minutën e 35-të të sfidës së djeshme, porta e kombëtares italiane ka rrumbullakosur plot 1000 minuta rresht pa u prekur.

Pra, pas pësuar asnjë gol. Një rekord i papërsëritshëm! Çfarë ekipi, çfarë zemre, çfarë cilësie! Mancini duket sikur iu thotë të tijve: Përpara djema, le të fluturojmë edhe në raundin e dytë! Por, pse jo, deri në finale… Ndoshta edhe deri në ngritjen e trofeut të madh në qiell. Kjo Itali është e bukur, e fortë, kompaktë, e bashkuar, model i futbollit rezultativ.