Transmetuar më 13-07-2021, 21:05

Një vajzë adoleshente është braktisur nga prindërit në një ishull kinez pranë Rushan në brigjet e krahinës së Shandong me qëllim që të marrë një mësim të mirë pasi nuk sillej mirë dhe qëndronte shumë në dhomën e saj.

Vajza 13 vjeçare është pikasur dy ditë më pas nga peshkatarët që kalonin në zonë, të cilëve u kishte thënë se prindërit e kishin lënë të izoluar në mënyrë që “të mësonte vështirësitë e jetës dhe kapërcimin e pengesave”.

Vajza tregoi se prindërit kishin ndërmarrë veprimit dramatik me qëllim të mposhtnin natyrën rebele të bijës së tyre.

E përditshmja britanike The Sun shkruan se adoleshentja nuk shkonte në shkollë dhe qëndronte gjithë ditën në dhomën e saj, duke bërë që prindërit të vendosnin të merrnin vetë situatën në dorë.

Sipas China Press, vajza dhe një ekspert mbijetese që ishte pajtuar prej prindërve të saj, ishin vizitorët e parë prej më shumë se një viti në ishullin ku nuk ka energji elektrike dhe as ujë të pijshëm.

Por pas dy ditë qëndrimi ajo ua kishte bërë me shenjë peshkatarëve që lundronin pranë zonës. Këta njoftuan policinë për fëmijën e bllokuar në ishull.

Kur oficerët shkuan për ta shpëtuar, vajza u kishte thënë e përlotur: “Nuk duroj dot më. Ata më detyrojnë të mbijetoj në një ishull të pabanuar. Kam vetëm ujë dhe biskota. Nuk ndez dot një zjarr. Ju lutem më ktheni në shtëpi”.

Policia më pas urdhëroi prindërit të rimerrnin vajzën e tyre për ta çuar në shtëpi dhe ti jepnin fund detyrimit që adoleshentja të bënte jetën e Robinson Kruzosë.

Por megjithë përfshirjen e autoriteteve babai i vajzës e quan një sukses iniciativën.

Ai tha se tani bija e tij është “më e pjekur dhe me vetëbesim” pasi më përpara ajo do të kishte hezituar të kontaktonte me autoritetet pasi ishte e turpshme.