Transmetuar më 23-07-2021, 09:39

Operacionet nga Policia e Kurbinit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim po bëhen me dron duke arritur sot të vënë në pranga një të akuzuar për vjedhje, raporton noa.al.

Ervin (Astrit) Kasmi, 42 vjeç, banues në Fushë Milot, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes së pronës, është personi i parë që kapet përmes fronit nga policia shqiptare.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin e ka dënuar me 3 vite burgim, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.

Kapja e të kërkuarit erdhi pas disa minutash ndjekjeje dhe mbajtjeje nën vëzhgim me dron nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 41 vjeç, banues në Fushë Milot, pasi ka penguar punonjësit e Policisë në kryerjen e detyrës duke i kundërshtuar ata dhe ka ndihmuar shtetasin Ervin Kasmi të fshihet në banesën e tij.