Transmetuar më 27-07-2021, 11:42

Briken Calja, peshëngritësi ynë i madh, është ndoshta i vetmi olimpist kuqezi, nga i cili presim medalje në “Tokyo 2020”. Një ditë para garimit, vetë 31-vjeçari duket tejet optimist.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai bën premtimin e madh: “Për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë”. Metaforikisht, në gjuhën sportive, gjaku dhe djersa janë medalje, trofe:

Erdhi dita, të cilën kam shumë vite që e pres! Nesër, në orën 12:45 ju ftoj të gjithëve të më ndiqni në Olimpiadën e ‘Tokio 2020’, ku do të garoj në peshën deri në 73 kg. Jam jashtëzakonisht i qartë dhe i palëkundur në mendje se çfarë kërkoj nga kjo sfidë.

Ndiej se pas vetes sime kam miliona zemra kuq e zi, që më përkrahin dhe kjo do të jetë forca ime më e madhe. Për të nderuar vlerat e Shqipërisë në botë jam gati të derdh gjak dhe djersë.

Kam marrë qindra mesazhe nga shqiptarë anembanë botës këto ditë dhe akoma më shumë më shtohet besimi dhe forca drejt një suksesi në këtë garë.

Shihemi nesër dhe me besimin në Zot shpresojmë që të kapim një rezultat historik!”