Transmetuar më 11-08-2021, 07:32

Facebook ka bërë të ditur se më 10 gusht ka mbyllur me dhjetëra llogari ruse, të cilat kishin si qëllim kryesor keqinformimin rreth vaksinave kundër  COVID-19.

Zyrtarët e Facebook-ut thanë se këto llogari  vepronin si një “lavatriçe e dezinformimit”

Llogaritë ishin të lidhura me Fazze, një firmë reklamimi dhe marketingu e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe puna e Fazze-s ishte bërë kryesisht nga Rusia në emër të një klienti të panjohur.

“Mbyllja e profileve është bërë në bazë të politikave të kompanisë kundër ndërhyrjes së huaj”,-janë shprehur zyrtarët e Facebook.

“Ne hoqëm 65 llogari në Facebook dhe 243 llogari në Instagram nga Rusia të lidhura me Fazze”,- tha kompania.

“Fazze tani është e ndaluar nga platforma jonë”, thuhej në njoftim.

Rrjeti publikonte mesazhet e dezinformimit për vaksinat kundër COVID-19, kryesisht në audiencën në Indi, Amerikën Latine dhe në SHBA.

Facebook dhe media të tjera sociale janë përballur me kritika të ashpra, përfshirë edhe nga presidenti amerikan Joe Biden, për përhapjen e gënjeshtrave për vaksinimin, të cilat po pengojnë përpjekjet për të luftuar pandeminë e COVID-19 në të gjithë botën.

Një ndër publikimet që kishin bërë këto llogari pretendonte se një vaksinë perëndimore do t’i shndërronte njerëzit në majmunë.

Rusia ka bërë biznes jasht vendit në mënyrë aktive me vaksinën e saj kundër koronavirusit, dhe analistët e shohin këtë si një përpjekje për përfitime gjeopolitike.