Transmetuar më 29-08-2021, 12:19

Varianti “Delta” nuk po kursen as fëmijët në Shqipëri pasi konstatohet se javët e fundit janë shtuar rastet pozitive te moshat pediatrike dhe shtrimet në spital.

Në shifra shihet se janë pesëfishuar infektimet nga Delta. Në spitalin Covid janë të shtruar 96 pacientë në gjendje më të rënduar, ndërsa në Infektivin e Pediatrisë janë 7 fëmijë.

Shefja e Shërbimit Infektiv në Pediatrinë e QSUT, Dr. Gjeorgjina Kuli thotë se rastet që paraqiten janë lehtësisht të ngatërrueshme me virozat e stinës.

“Kemi rritje të rasteve pozitive për Covid dhe rastet e hospitalizuara në pediatri. Mendoj që kjo rritje vjen prej variantit Delta.

Sepse përveç shenjave të temperaturës, sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes kanë shenja të prekjes së aparatit gastro-intenstinal; të vjella dhe diarre. Nuk mund të themi nëse është Covid, apo virus tjetër. Diagnoza konfirmohet në bazë të tamponit”, tha ajo.

Lajm i mirë është se mutacioni indian te fëmijët shfaqet më pak agresiv se variantet e tjera.

“Deri tani format që janë shtuar pavarësisht që kanë qenë me temperatura të larta dhe shenja dehidratimi, format klinike kanë qenë të lehta në të mesme. Nuk kemi parë forma të rënda siç kishim gjatë periudhës së varianteve gjenetike të mëparshme atij klasik dhe atij britanik”, tha Kuli.

Duke parë ecurinë e deritanishme të sëmundshmërisë tek fëmijët, Kuli rekomandon rikthimin e tyre në shkolla, por duke respektuar në mënyrë shumë strikte masat kundër Covid-19.

“Me shifrat që kemi dhe me përhapjen e vaksinimit në trupën mësimdhënëse mendoj që nuk ka rrezik të përhapjes në kushtet e shkollës, nëse zbatojmë rigorizisht rregullat”, – tha Shefja e Shërbimit Infektiv Gjeorgjina Kuli.