Transmetuar më 09-09-2021, 15:05

Presidenti Stevo Pendarovski pas vizitës që i bëri spitalit të shkrumbuar në Tetovë tha se prokurori që udhëheq hetimet ka urdhëruar që të gjithë prokurorët të përgatisin raportin brenda 5 ditëve.

Pendarovski tha se hetimet nuk duhet të zgjasin dhe se qytetarët meritojnë përgjigje të shpejtë dhe profesionale.

“Ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave. Nuk kemi dyshime se ngjarja është e qëllimshme por presim hetimet dhe rezultatet e grupit hetimor. Megjithatë hetimi do të jetë i gjithanshëm. Nuk mund të lejojmë që hetimi të zgjat me muaj. Publiku maqedonas meriton përgjigje profesionale, të shpejtë dhe thelbësore pa asnjë pauzë në hetim. Me qenë se diçka zvarritet me vite me vite, tek njeriu i thjeshtë ngjall dyshime që ndoshta diçka nuk është e pastër këtu”, tha Pendarovski.

“Festuam 30-vjetorin e pavarësisë, pikërisht në këto raste duhet të dëshmojmë që e meritojmë dhe që jemi shtet me të gjitha nishanet”, pohoi Pendarovski.

15 persona besohet të kenë humbur jetën në Tetovë, në zjarrin që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus.