Transmetuar më 20-09-2021, 08:10

Askush nuk e mohon se Kylian Mbappé është objektivi më i madh i dëshiruar nga Florentino Pérez. Një lojtar i aftë për të udhëhequr një projekt fitues. Përpjekjet e kësaj vere të “Los Blancos” dështuan, sepse PSG as nuk denjoi t’iu përgjigjej ofertave të Real Madridit, deri në 200 milionë euro.

Kësisoji, 13 herë kampionët e Europës do të duhet të presin deri janarin e ardhshëm për të negociuar kontratën e re me yllin francez. Duket se ka shumë të ngjarë që sulmuesi francez të mbërrijë falas sezonin e ardhshëm në “Santiago Bernabeu”, megjithëse objektivi i PSG është të rinovojë me të në mënyrë që të mos largohet me kosto zero.

Për momentin asgjë nuk është e qartë, një çështje që mund të bëhet tabu në klubin e bardhë, sepse ka ende disa muaj për t’u zgjidhur. Në këtë kuptim, Pipi Estrada zbuloi mbrëmë në “El Chiringuito” një vendim radikal që klubi i bardhë ka marrë në lidhje me Mbappe:

"Real Madridi ka marrë vendimin për të mos folur më shumë për Mbappe". Sipas tij, drejtuesit e bardhë nuk duan komente as në korridoret e klubit, që skuadra të fokusohet në këtë sezon.