Transmetuar më 20-09-2021, 17:57

Qeveria Zvicerane ka vendosur rregulla të reja për hyrjet në këtë shtet, të vlefshme nga dita e sotme 20 shtator.

Ndërsa vende të tjera evropiane kanë ndaluar shqiptarët që të futen në territoret e tyre nëse nuk kanë udhëtime esenciale, Zvicra nuk ndalon askënd të futet mjaft që të plotësojë një nga kushtet e mëposhtme

Të vaksinuarit ose të shëruarit duhet të plotësojnë formularin për hyrje në Zvicër: Të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose certifikatën që kanë kaluar COVID-19, jo më vonë se 6 muajt e fundit.

Të pavaksinuarit apo të pashëruarit duhet edhe ata të plotësojnë formularin për hyrje në Zvicër, si dhe të paraqesin një test negativ (PCR ose Antigjen) në kufi, pavarësisht se nga vijnë apo me çfarë mjetesh udhëtojnë.

Pas katër deri në shtatë ditë qëndrimi në Zvicër, duhet bërë dhe një test tjetër i detyrueshëm (me pagesë) si dhe të paraqitet rezultati pranë autoriteteve lokale.

Nga këto rregulla përjashtohen: Udhëtarët ndërkufitarë; shoferët; kalimi tranzit. Edhe fëmijët nën moshën 16 vjeç përjashtohen nga testi.

Autoritetet zvicerane njohin si të vlefshme vaksinimin me Pfizer/Biontech dhe Moderna, që aplikohen aktualisht në Zvicër, si dhe ato të certifikuara të njohura nga EMA dhe OBSH. Kjo do të thotë se shqiptarët e vaksinuar me Pfizer, AstraZeneca/Covishield/Vaxveria, ose Coronavac, mund të hyjnë lirisht në Zvicër.

Gjithashtu, nga data 20 shtator 2021, të gjithë personat që janë vaksinuar dhe shëruar jashtë vendit me një vaksinë të miratuar nga Agjencia Evropiane e Mjekimeve (EMA) dhe që janë rezidentë në Zvicër ose që po hyjnë në Zvicër, mund të marrin një certifikatë Zvicerane Covid-19. Aktualisht vetëm certifikatat e vendeve që aplikojnë sistemin digjital të certifikatës Covid-19 të BE-së, janë në përputhje me sistemin zviceran. Këtu përfshihet dhe Shqipëria. /noa.al