Transmetuar më 21-09-2021, 15:14

Fjalë për fjalë nuk është e shkruar në deklaratën mjekësore të PSG, të botuar të martën në mesditë, por është njësoj sikur të thuhet: Lionel Messi nuk është gati për udhëtimin e parizienëve në Metz, të mërkurën, për llogari të javës së 7-të të Ligue 1. Kjo për shkak se ylli argjentinas ka pësuar një dëmtim në gju dhe nuk mund të luajë.

"Lionel Messi, pas goditjes së marrë në gjurin e tij të majtë, bëri një MRI këtë mëngjes, që konfirmon shenjat e kontuzionit të kockave, – shkruan klubi parizien, i cili shton: – Një kontroll i ri mjekësor do t’i bëhet për 48 orë".

Të dielën e kaluar, kundër Lyon (2-1), Messi u zëvendësua në minutën e 76-të, çka shkaktoi përplasje verbale mes tij dhe trajnerit (nuk pranoi t’i jepte dorën), por edhe polemika të forta mediatike në Francë dhe krejt Europën.

Maurico Pochettino konfirmoi mungesën e bashkatdhetarit të tij në Lorraine gjatë konferencës për shtyp, pak minuta pas deklaratës mjekësore: "Klubi komunikoi për dëmtimin e Messit, kështu që situate është e qartë. Ne pamë që Messi preku gjurin e tij. Jam shumë i kënaqur me atë që bëri gjatë ndeshjes kundër Lyon-it.

Pas 75 minutash, duke pasur parasysh informacionin që kishim, ne morëm vendimin për ta zëvendësuar atë. Messi është një kampion i madh dhe si të gjithë kampionët e mëdhenj ai nuk donte të dilte jashtë”.

Sergio Ramos gjithashtu mungon, teksa PSG specifikon se "ai vazhdon përgatitjen individuale në terren", ndërsa Marco Verratti, i cili humbi tri ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në gju, rifilloi stërvitjen me grupin sot.