Transmetuar më 22-09-2021, 13:35

Dy pikë në katër ndeshje. Allegri është disi i njohur me fillimet e rreme, por Juventusi po shkruan diçka epokale. Kishin kaluar 60 vite që kur bardhezinjtë nuk kishin filluar një kampionat aq keq. Dhe të shohësh se kush e ka dominuar Serie A në nëntë nga dhjetë vitet e fundit (Juventusi, 9 herë radhazi kampion), të duket e pabesueshme.

CIES, duke analizuar të dhënat e këtij fillimi të kampionatit, e ngre “Zonjën e Vjetër” nga një pozicion që padyshim nuk i përket asaj, por nuk i lë shumë shpresë Allegrit. Sipas llogaritjeve, bardhezinjtë nuk do të arrijnë as në Ligën e Kampionëve.

Renditja u hartua duke ndjekur disa parametra: përvojën e lojtarëve, investimet dhe transferimet, si dhe ecurinë e 12 muajve të fundit.  Interi i Simone Inzaghit buzëqesh. Zikaltrit janë favotitët për ta fituar sërish titullin e kampionit, si sezonin e kaluar.

Ajo që ndryshon, madje edhe rrënjësisht, është podiumi dhe zona e Champions-it. Ky kompeticion europian me shumë rëndësi do t’i hapë dyert Milanos, e përfaqësuar edhe nga kuqezinjtë. Pra, Inter dhe Milan. Trajneri Pioli, megjithatë, do të duhet të mjaftohet me vendin e tretë, i paraprirë nga Napoli i Luciano Spalletti, i cili do ta mbyllë pas Interit.

Vendi i fundit në dispozicion për Ligën e Kampionëve “prenotohet” nga Roma, sipas përllogaritjes së këtij instituti prestigjioz statistikash sportive. Prandaj, Juventusi dhe Atalanta mbeten jashtë, sepse vendosen në vendin e gjashtë dhe të pestë. E fundit nga “shtatë motrat” do të jetë Lazio. Natyrisht, kurrë si në këtë rast, fjala e fundit do të jetë akoma në fushën e blertë.