Transmetuar më 22-09-2021, 23:22

Shkencëtarët britanikë kanë testuar me sukses në kushte laboratorike dhe presin testimin te njerëzit të një terapie anti-Covid 100 për qind efikase, që shëron brenda një jave.

Terapia përbëhet nga ato që quhen si “nanotrupa”, antitrupa të vegjël që prodhohen natyralisht nga nga lamat dhe devetë në rastet kur trupi përballet me infeksionin kovid19.

Shkencëtarët që janë angazhuar prej muajsh në këtë eksperiment thonë se me të kaluar fazën testuese, kjo lloj terapie mund të jepet përmes hundëve, apo gojës në formën e një spraji.

Profesori James Naismith, i Rosalind Franklin Institute është njëri prej udhëheqësve të studimit. Ai thotë se testimi te minjtë tregoi se nanotrupat e lamave i shëruan këto kafshë në 100 për qind të rasteve dhe brenda gjashtë ditëve.

Vetë autoritetet shëndetësore britanike kur janë njohur me rezultatet e deritanishme thanë se nuk kanë parë një kurë më shumë premtuese ndaj Covid se terapia në fjalë. Megjithatë, testimet janë kryer vetëm në kushte laboratorike te minjtë, ndërsa pritet që të vendoset nëse do të lejohen testimet te njerëzit.

Shkencëtarë të tjerë i druhen reagimit të sistemit imunitar njerëzor, duke thënë se mund të pengojë që nanotrupat e lamave të prodhojnë të njëjtin rezultat si te minjtë.

Suksesi i nanotrupave lidhet kryesisht me përmasat e tyre, që u mundësojnë të lidhen pa probleme me proteinat e virusit dhe ta sulmojnë atë nga brenda.