Transmetuar më 13-10-2021, 13:27

Kosova dhe Benard Challandes i kanë ndarë rrugët pikërisht sot. Një ditë pas humbjes me Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kur kanë mbetur të luhen edhe dy sfida kualifikuese për "Katar 2022", drejtuesit e FFK dhe trajneri zviceran i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. E para ka vendosur ta ndërpresë bashkëpunimin këtu për mungesë rezultatesh.

Duke folur para mediave, Challandes nënvizoi: “Kishim synim në fillim të ndërtonim një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me atë që kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me këtë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin, duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës”.

Trajneri në largim ka shtuar se Kosova ka lojtarë shumë të mirë, duke nënvizuar se të gjithë duhet të kenë durim me këtë ekip: “E kuptoj se na duhet rezultatet, por nuk e pranoj se duhen patjetër ato, sidomos në këtë grup kualifikues tejet të fortë ku na hodhi shorti. E di që trajneri duhet të ketë rezultate dhe presioni i gjithë shtetit nuk ka qenë i lehtë për federatën”.

Zvicerani veteran ka saktësuar se objektiv primar ka pasur zhvillimin dhe përparimin e ekipit kombëtar të Kosovës dhe është i kënaqur me ato që ka bërë: “Ndoshta për ju ishin të rëndësishme rezultatet, por për mua ishte primare krijimi i ekipit. Mendoj se kemi luajtur futboll të mirë”.

Kosova mbyll renditjen e grupit B kualifikues për momentin, me 4 pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia, që e mundi mbrëmë në Prishtinë. Në 7 ndeshje të kësaj fushate eliminatore, “Dardanët” kanë 1 fitore (në fushën e Gjeorgjisë), 1 barazim dhe 5 humbje, me golaverazhin negativ 14-10.