Transmetuar më 26-10-2021, 14:18

Policia ka sekuestruar mbi 44 mijë euro në Kakavijë, ndërsa ka proceduar penalisht poseduesin e tyre, një 41 vjeçar nga Berati.

Shtetasi me inicialet A.H., po udhëtonte drejt Greqisë, por gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në gomën rezervë plot 44. 500 euro.

"Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në të detajuar në vijën e dytë, automjetin tip “Honday” me drejtues shtetasin A. N., 41 vjeç, banues në fshatin Moravë, Berat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në gomën rezervë, 44. 500 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale", njofton policia.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, drejtuesi i automjetit shtetasi A. N. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.