Transmetuar më 04-11-2021, 20:44

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet greke nën akuzën e spiunazhit në bashkëpunim, duke shënuar rastin e parë të këtij lloji që nga fillimi i viteve ’90, raporton noa.al.

Policia greke në një komunikatë sot, tha se dy burra me origjinë shqiptare u arrestuan pasi akuzohen se kanë fotografuar dhe regjistruar pamje filmike në objektet e repartit ushtarak në malin Egaleo.

Sipas dosjes së çështjes, pasditen e 28 tetorit, dy personat hynë në kampin e artilerisë “Major Stefanaki” dhe më pas bënë video dhe foto nga impiantet ushtarake.

Një toger në detyrë i pa dhe u kërkoi të ndalonin. Njëkohësisht ai ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka sjellë një grup të gatshëm për të prangosur të dyshuarit.

Zyrtarët ushtarakë kanë deklaruar se pasi policia ndaloi dy të dyshuarit, në një kontroll ata panë se ishin bërë filmime me kamera të objekteve luftarake greke, përfshirë armatime të ndryshme.

Mësohet se dy shqiptarët kanë kërkuar mbrojtje ligjore me avokatët. Mbrojtësit ligjorë të dy të pandehurve deklaruan se ishte "një shëtitje e rastësishme në një vend ku nuk ka rrethim apo shënjim të hapësirës ushtarake".

Megjithatë autoritetet thanë se janë duke proceduar penalisht dy të dyshuarit për spiunazh. /noa.al