Transmetuar më 29-11-2021, 09:32

Duke folur në “Sky Calcio Club”, Gianluigi Buffon analizoi situatën e vështirë te Juve, skuadra ku luajti dy dekada dhe u kthye në legjendë të gjallë. Ja fjalët e tij: “Që parbola kishte filluar zbritjen dhe se kishte disa probleme, kjo dukej qartë, por ardhja e një trajneri si Allegri mund të na shtyjë të mendojmë se do ta gjejë ekuilibrin e duhur.

Individualisht, lojtarët e Juves janë ndër më të mirët në Serie A, nuk janë inferiorë karshi kolegëve të Interit, Milanit dhe Napolit. Pastaj duhet të shohim nëse ata mund të krijojnë një ekip, kjo është çështja”.

Po cili duhet të jetë roli i senatorëve në kthimin e Juventusit aty ku e meriton? Buffon, 43 vjeç, ende duke luajtur me Parmën në Serie B, shenjtëron dy ish-kolegë të tij bardhezinj: “Mendoj se njerëz si Bonucci dhe Chiellini duhet të klonohen. Për sa i përket qëndrimit, lidershipit dhe karizmës, kam takuar shumë pak si ata në karrierë.

Lojtarë si Khedira, Tevez dhe Mandzukic iu afroheshin, e mbajtën më së miri flamurin lart kur iu erdhi koha. Tani nevojitet kohë për të rilindur dhe fituar diçka. Juventusi në vitet e fundit ka bërë diçka të bujshme, ishte e paimagjinueshme të ruheshin gjithmonë ato nivele shumë të larta”.

Portieri veteran italian e ka një mesazh edhe për lojtarët e rinj te “Zonja e Vjetër”: “Disa djem janë ende të rinj nga pikëpamja e përvojës, por që mund të bëjnë një hop në cilësi. Chiesa ka karakterin për të qenë futbollist lider. Lojtarët si Cuadrado, Danilo dhe Alex Sandro duhet të ndiqen nga më të rinjtë, që të bëhen forca shtytëse për Juventusin”.