Transmetuar më 29-11-2021, 14:23

Me fillimin e Kupës së Arabisë 2021, nesër, do të startojë zyrtarisht edhe testimi i teknologjisë gjysmë-automatike për “offside” (pozicionin jashtë loje) në futboll. Siç shpjegohet për “Fifa TV” nga shefi i arbitrave të këtij institucioni, Pierluigi Collina, ky do të jetë testi më i rëndësishëm deri tani në këtë drejtim, para Botërorit të Katarit:

"Teknologjia është shumë e rëndësishme dhe e dobishme si në përgatitjen para ndeshjes, ashtu edhe në procesin e vendimmarrjes gjatë ndeshjeve për pozicionin jashtë loje. Vendimi merret pasi të analizohet jo vetëm pozicioni i lojtarëve, por edhe përfshirja e tyre në lëvizje. Teknologjia, sot ose nesër mund të vendosë një vijë, por vlerësimi i ndërhyrjes në lojë ose me një kundërshtar mbetet në duart e arbitrit”.

Pyetja ngrihet e tillë: Si do të funksionojë kjo procedurë? Për këtë foli edhe drejtori i teknologjisë dhe inovacionit në futboll, Johannes Holzmuller: "Ne do të kemi të instaluar një kamer nën çatinë e çdo stadiumi. Të dhënat e gjurmimit të gjymtyrëve të nxjerra nga video do të dërgohen në dhomat e monitorimit.

Pika e goditjes e zbuluar do t’i jepet pothuajse në kohë reale operatorit të riprodhimit të pamjeve, i cili më pas do të ketë mundësinë t’i dërgojë ato menjëherë në VAR. Në Kupën Arabe 2021, një ndihmës i VAR-it do t’i dedikohet pozicionit jashtë loje. Ai mund ta vërtetojë dhe konfirmojë menjëherë informacionin".