Transmetuar më 07-01-2022, 22:22

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në një familje në Kosovë, ku burri vrau gruan në sy të fëmijëve.

Përveç dhunës fizike e psikike që e kishte përjetuar 48-vjeçarja nga Skenderaj prej bashkëshortit të saj, ai kishte tentuar ta vriste edhe më herët, siç bëhet e ditur në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Në gusht të vitit të kaluar kishte arritur të ikte nga ai, por nuk e kishte raportuar rastin, pasi siç ka thënë, nuk donte t’i linte fëmijët dhe se shpresonte se burri i saj do të ndryshonte.

Lirije Qerimaj, 48-vjeçare, u vra mesditën e 5 janarit, nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte prej 20 vitesh.

Bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, kishte tentuar ta vriste Lirijen edhe para disa muajsh. Për këtë ka folur njëri nga fëmijët e saj, që ka thënë se babai i tij kishte tentuar ta vriste nënën e tyre natën me çarçaf, por ajo ia kishte mbathur

“Babi i thoshte nënës ‘dil nga shtëpia’, por edhe të tjerëve ju thoshte ‘nëna juaj nuk vyen asgjë’, por kurrë nuk kemi treguar. Në muajin gusht 2021 babi ka bërë përpjekje që natën kur ka qenë në gjumë ta plasë me çarçaf, por nëna ka ikur në dhomën e fëmijëve, por rastin nuk e kemi raportuar me shpresë se bëhet mirë”, tha fëmija.

Por dhuna ndaj Lirijes nuk ishte ndalur. Vetëm 5 muaj pas tentim-vrasjes, burri i saj kishte vazhduar ta dhunonte fizikisht e psikikisht, për të cilën ajo kishte vendosur ta denonconte në polici, në ditën e parë të këtij viti.