Transmetuar më 14-01-2022, 09:09

“Paulo Dybala u ul në tryezë me drejtuesit e Juventusit dhe i informoi ata për vendimin e tij se nuk do ta rinovojë kontratën, që i skadon më 30 qershor. Ai do të largohet nga klubi bardhezi si transferim i lirë pas shtatë vitesh dhe së shpejti do të fillojë të dëgjojë ofertat që do t’i mbërrijnë".

Pas humbjes së Juventusit kundër Interit në Superkupën e Italisë, transmetuesi i mirënjohur argjentinas "TyC Sports" plasi bombën: “Dybala është zhgënjyer nga strategjia e miratuar nga Nedved, Arrivabene dhe Cherubini, si dhe nga shtyrjet e vazhdueshme për të firmosur zgjatjen e kontratës.

Për këtë arsye është bindur ta vazhdojë karrierën e tij larg Torinos dhe, sipas të gjitha gjasave, jo në Itali. Me përjashtim të një "ndryshimi rrënjësor" të qëndrimit nga ana e Juventusit (plotësimit të kërkesave financiare), argjentinasi do të ishte gati për të qëndruar.

Lajmi, i cili për momentin nuk është i konfirmuar nga vetë futbollisti dher klubi bardhezi, do t’i komplikonte ndjeshëm planet e Juventusit dhe do ta detyronte menaxhmentin bardhezi të përmbyste strategjitë e veta në merkato.

Ndërkohë, një prapaskenë interesante rrjedh nga “Il Messaggero” mbi situatën kontraktuale të Paulo Dybala me Juventusin. Argjentinasi nuk dëshiron t’i braktisë bardhezinjtë, por koha po ikën dhe marrëveshja duhet zyrtarizuar sa më parë.

Gjithçka dukej se ishte bërë në fund të vitit të kaluar për shkak të rritjes së pagës në rreth 8.5 milionë euro në sezon, por afatet u zgjatën deri në shkurt. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” do të donin një gjysmë hapi prapa nga sulmuesi, për një marrëveshje 7 milionë euro, plus bonuse, por “playmaker”-i pret përmirësimin e premtuar të pagës në tetor.

Interi mbetet në dritare duke vigjëluar, me Marotta, i cili e ka testuar terrenin në kontakte direkte me “Joya”. PSG, Barcelona dhe klube nga Premier League janë gjithashtu të gatshëm ta rrëmbejnë atë nga Juventusi.