Transmetuar më 19-01-2022, 14:08

Tashmë ka një atmosferë divorci mes Manchester United dhe Cristiano Ronaldos, i cili u kthye në Angli verën e kaluar, duke u larguar nga Juventusi.

Siç raporton “The Sun”, në fakt, përfaqësuesit e portugezit janë takuar me drejtuesit e lartë të klubit për të diskutuar mbi përfundimin e mundshëm të kontratës në fund të sezonit aktual, nëse “Djajtë e Kuq” nuk kualifikohen në Champions League.

Manchester United tani është i shtati në Premier League, 5 pikë larg nga vendi i katërt, por me dy ndeshje të prapambetura. CR7 nënvizoi së fundi se ai nuk u kthye në “Old Trafford” për të arritur vendin e shtatë në renditje…

Duke parë se gjërat nuk po shkojnë mirë në “Old Trafford”, 36-vjeçari ka kërkuar një takim midis përfaqësuesve të tij dhe Richard Arnold, i cili do të mbajë rolin e menaxherit të përgjithshëm të Manchester United nga 1 shkurti.

Kontrata e tij me “Djajtë e Kuq” skadon në verën e vitit 2023, por Ronaldo duket i gatshëm të luajë të paktën deri në moshën 40-vjeçare. Për këtë arsye, synimi është të gjendet një marrëveshje për t’u liruar në fund të këtij sezoni, nëse Manchester United nuk e mbyll kampionatin anglez në katër vendet e para të renditjes.

Kujtojmë se “top 4” e Premier League kualifikohet direkt në Ligën e Kampionëve.