Transmetuar më 19-01-2022, 20:56

Enkelejd Alibeaj do të drejtojë degën e PD në Vlorë. N/kryetari i Partisë Demokratike dhe kreu i grupit parlamentar demokrat është komanduar në vend të Genc Deromemajt, i cili u pezullua me votim të Kryesisë së partisë pasi doli në mbështetje të lëvizjes për rithemelim të PD të udhëhequr nga Sali Berisha.

Partia Demokratike po kryen ndryshime në strukturat e saj pas përjashtimeve dhe pezullimeve të kryera si pasojë e protestës së 8 janarit në godinën e PD.

Ditën e sotme, deputeti demokrat Ervin Salianji është emëruar të drejtojë degën demokrate të qytetit të Korçës pas përjashtimit nga partia të Edmond Spahos.

Në një mbledhje të zhvilluar mbrëmjen e 10 janarit u mor vendimi për përjashtime të shumta në PD pas protestës së dhunshme të 8 janarit. Konkretisht u përjashtuan: Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Bujar Nishani, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Keltis Kruja, Klevis Balliu. Gjithashtu u pezulluan: Agron Shehaj, Aldo Bumci, Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Clirim Gjata, Edi Paloka, Edith Harxhi, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Ivi Kaso, Ledina Mandija, Lorenc Luka, Luan Baçi, Mimoza Hajdrmamataj, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu.