Transmetuar më 22-01-2022, 09:29

E rëndë në Elbasan. Aksidentoi me automjet 83 vjeçarin dhe e hedh në kanal, arrestohet autori.

Pas ngjarjes së ndodhur më datë 11 janar në segmentin rrugor fshati Thane – Elbasan ku një 83 vjeçar u gjetë i pajetë në kanal, strukturat e hetimit në policinë e Elbasanit në bashkëpunim me policinë rrugore kanë kryer një sërë veprimesh hetimore për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe shoqërimi i drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin me pasojë vdekje.

Gjithashtu u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjetit tip Audi që ky shtetas dispononte me të cilin shkaktoi aksidentin me pasojë jetën 83 vjeçarit.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit A. H., 48 vjeç, banues në fshatin Muriqan, Elbasan, i cili dyshohet se ka goditur me mjetin e tij tip “Audi”, dhe ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës, pasi ka hequr nga vendi i ngjarjes shtetasin e aksidentuar A. Sh., 83 vjeç, banuese në Cërrik dhe e ka hedhur në një kanal me qëllim fshehjen e ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore.