Transmetuar më 08-04-2022, 08:00

Parma, 6 prill 2022. Ishte një ditë emocionale jo vetëm në fushë, pasi verdheblutë mundi Como 4-3, në një “thriller” me shtatë gola. Në tribunat e stadiumit ishte edhe Vladi, i mbështjellë me flamurin e tij ukrainas, së bashku me nënën, Nadija, dhe motrën e vogël, Anastasiia.

Me ta ishte edhe gjyshja e Vladit, Mariya, e cila jeton prej disa vitesh në Romë. Vlad, Nadija dhe Anastasia u strehuan tek ajo, pasi u larguan nga Lviv (Ukrainë) për t’i shpëtuar masakrës ruse. Ngjarjet që kanë ndodhur në atdheun e tyre qysh prej 24 shkurtit tashmë i di gjithë bota, pushtimi rus ka shkaktuar mijëra viktima, edhe nga radhët e fëmijëve të pafajshëm.

Vlad, ndër pasionet e tij të shumta ka edhe futbollin. Ai është një portier i ri dhe që nga ardhja e tij në Itali është akomoduar te shkolla e futbollit “San Paolo Ostiense”. Në fund të fundit, në fushën e futbollit nuk ka barriera, as në frontin gjuhësor.

Image

Në një intervistë të fundit, Vlad përmendi një idhull shumë të veçantë: Gianluigi Buffon. Kapiteni i Parmës, pasi lexoi atë që kishte thënë për të i riu ukrainas, nuk u mendua dy herë dhe shprehu dëshirën për t’i dhënë atij dhe gjithë familjes një përvojë të paharrueshme, duke i ftuar në ndeshjen e djeshme në “Tardini”.

Para ndeshjes, në muzeun e klubit, Vlad takoi idhullin e tij, duke përjetuar një moment vërtet emocionues. Gigi ka dashur ta takojë dhe ta përqafojë, duke i ofruar fansit të ri një fanellë të autografuar dhe shumë foto së bashku.

Jo vetëm Buffon, por edhe presidenti i Parmës, Kyle Krause gjithashtu erdhi për ta takuar familjen, duke i dhuruar një shall “Parma Calcio 1913” dhe një lodër të vogël “Crociati” për motrën e vogël të Vladit. Emocioni mund të shihej në sytë e të gjithëve. Ishte me të vërtetë një nga pikat kryesore të ditës në klubin e njohur italian.