Transmetuar më 23-05-2022, 22:00

Tiranë- Ngjarje e rëndë në Tiranë. Një punonjës policie ka mbetur i plagosur dhe vdiq më pas nga plumbat e lëshuara prej kolegut të tij.

Një vrasje e paprecedentë mes policësh ka ndodhur mbrëmjen e sotme në një komisariat në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Mine Peza, brenda në komisariatin nr. 3, ku polici Ludian Zaimi, ka plagosur me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi, i cili ndërroi jetë, raporton noa.al.

Viktima ishte në vitet prag pensioni. Ndërsa i dyshuari, në moshë të re, ka rreth dy vjet në polici, viktima ishte polic prej mbi 20 vitesh.

Pamje në vendngjarje

Policia tha zyrtarisht se rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, Luçiano Zajmi ka plagosur me armë zjarri policin tjetër Çaush Saliasi.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Saliasi ka ndërruar jetë në spital.

Si viktima dhe autori ishin të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media. /noa.al