Transmetuar më 01-06-2022, 15:36

TIRANË, 31 MAJ 2022, NOA.AL – Shumë njerëz nuk e dinë se cigaret Heets që konsumojnë me pajisjet IQOS ka në përbërje të filtrit të tij plastikë. Në kuadrin e Ditës Botërore të luftës ndaj duhanit, redaksia e noa.al kreu vëzhgimin që po lexoni, në vijim të shqetësimit publik të ngritur në komunitetin e përdoruesve dhe në rrjetet sociale. Ata thonë se ka përmbajtje plastike në cigaren që përdoret me pajisjet IQOS.

Bëhet fjalë për cigaret Heets, duhan me ngrohje. IQOS-PMI u kërkon klientëve të përdorin vetëm këtë duhan në pajisjet IQOS që shesin.

Por disa kanë ngritur dyshimin se në këtë duhan (në filtër) ka plastikë dhe shprehen të shqetësuar për shëndetin e tyre.

Noa.al kërkoi nga stafi i IQOS, pjesë e Philip Morris, në degën e saj në Tiranë, që të konfirmojë nëse ka apo jo plastikë në produktin që shesin.

Në një përgjigje me shkrim që kompania dha, mohohet të ketë plastikë, duke sugjeruar se njerëzve u duket si e tillë: "Pjesa që ju duket si plastikë është e bërë nga acidi polilaktik, i cili është një nga biopolimeret më të përhapura në botë…", thuhet ndër të tjera në përgjigjen mbi pyetjen e noa.al.

Qytetarë të ndryshëm ilustrojnë me foto, se ky duhan ka në përmbajtje të tij plastikë, pikërisht tek filtri.

Paketë duhani Heets ku në greqisht shkruhet "Plastikë në filtër". Foto:noa.al

Foto që shikoni tregon se autoritetet dhe kompania, në vendin fqinjë Greqi, kanë shkruar se në këtë produkt ndodhet "plastikë në filtër" duke paralajmëruar kështu njerëzit.

Foto: Reddit

Në paketat që shiten në Shqipëri, siç shihni foto më poshtë, një informacion i tillë mungon.

Disa mendojnë se është e papranueshme që publikut shqiptar nuk i jepet ky informacion duke mos e shkruar në paketë ashtu siç ndodh në fqinjin Greqi. /noa.al