Transmetuar më 22-06-2022, 17:01

Tiranë-  Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë kanë sekuestruar 2 milion euro pasuri, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Sekuestrohet pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit R. P., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ky i fundit është arrestuar në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2007, është dënuar me 7 vjet burgim nga autoritetet e drejtësisë në vendin tonë, për të njëjtën vepër penale.

Pasuritë e sekuestruara janë: Një pasuri e paluajtshme (arë), në Valare, Gjirokastër; 5 apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 3 garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 1 apartament në Yzberisht dhe 3 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë. (noa.al/M.D)