Transmetuar më 25-06-2022, 12:19

Alvaro Morata dhe Alice Campello festojnë. Ato kanë zbuluar se po presin të sjellin në jetë fëmijën e katërt. Një moment lumturie në kaosin e merkatos, që e sheh futbollistin spanjoll pa “koordinata” të sakta për momentin.

E ardhmja e Alvaro Morata mbetet pezull, por sulmuesi spanjoll ka çdo arsye për të buzëqeshur në planin familjar. Në rrjetet sociale, sulmuesi i Juventusit, por që është në pronësi të Atletico Madridit, ka njoftuar ardhjen e fëmijës së tij të katërt.

Morata dhe bashkëshortja e tij Alice Campello, të cilët vetëm pak ditë më parë festuan përvjetorin e pestë të martesës, dhanë lajmin e gëzuar në profilin zyrtar në Instagram mbrëmjen e së premtes.

“Po vjen bebi 4”, – shkruante sulmuesi iberian me "emoji" e gruas shtatzënë dhe një zemër të vogël. Njoftimi erdhi në mbështetje të dy fotove të buta me gruan dhe tre fëmijët e çiftit.

Tre fëmijët aktualë të çiftit janë binjakët Leonardo dhe Alessandro (të pagëzuar në Venecia), si dhe djali i tretë Edoardo. Vetëkuptohet që postimi ka bërë "bum" me pëlqime, komente të ngrohta, urime dhe "share".