Transmetuar më 06-07-2022, 08:47

Simone Inzaghi nuk fshihet. Interi i tij dëshiron të fitojë titullin, edhe nëse e di se nuk do të jetë një shëtitje në park dhe se konkurrenca do të jetë e ashpër. Trajneri zikaltër ka folur në konferencën e parë për shtyp të sezonit të ri, në selinë e Interit, dhe ka treguar optimizmin e tij.

Inzaghi, ky do të jetë sezon i veçantë. Cili do të jetë sekreti?

Do të jetë i veçantë, sepse do të kemi 21 ndeshje në tre muaj. Së bashku me stafin do të bëjmë një përgatitore gjatë Kupës së Botës, por për të gjithë teknikët do të jetë një gjë e re.

A mund të na tregoni për telefonatat tuaja me Lukakun?

Një marrëdhënie e shkëlqyer u krijua menjëherë, që nga korriku i kaluar. Vitin e kaluar e dimë se çfarë ndodhi, kësaj vere kishim një shans për ta rikthyer atë. Për mua ishte një goditje e madhe, por nuk harroj se sulmi i Interit ishte më i miri i kampionatit të kaluar. Romelu është shumë i fortë, do të na sjellë gola dhe zgjidhje, por e përsëris, nuk harroj cilët kanë qenë këtu dhe na kanë mundësuar të fitojmë dy trofe dhe të prekim titullin. Shpresojmë që ky sezon të jetë i duhuri. Lukaku na jep më shumë zgjidhje dhe mund ta rikuperojmë topin më lart, të vrapojmë më pak për të shënuar.

Cilat janë synimet e Interit në sezonin e ri?

Të fitosh do të thotë të fitosh. Sezonin e kaluar na duhej të bindnim klubin dhe ne si staf kemi punuar shumë. Dikush, 12 muaj më parë mendoi se nuk do të ishim në top 4. Nuk më pëlqen të fshihem; sezonin e ri e fillojmë pas Milanit, kampionit të Italisë në fuqi. Do të jemi aty për të luftuar deri në fund me ekipet e tjera. Ne duam të garojmë si sezonin e kaluar për titull.

Nëse Skriniar do të sakrifikohej, a do të shqetësoheshit për rindërtimin e mbrojtjes?

Skriniar është lojtar i Interit për momentin, do të shohim se çfarë mund të ndodhë. Vitin e kaluar, gjatë prezantimit tim folëm për Romelu, i cili më pas u largua. Ne punojmë ngushtë me klubin.

A prisni shitjen e ndonjë emri tjetër të madh përveç Skriniar?

Merkatoja është e paparashikueshme, por më 13 gusht do të kemi një Inter që do të dëshirojë të fitojë titullin, bashkë me 5-6 ekipe të tjera që do të luftojnë fort.

Çfarë tipari dëshironi të shihni tek Interi këtë sezon?

Ne i merituam duartrokitjet e njerëzve, pavarësisht titullit që e mori Milani. 72.000 njerëz na duartrokitën ndeshjen e fundit në "San Siro". Ne do të përpiqemi shumë, duke e ditur se mund të mbështetemi te një tifozëri e mrekullueshme.

Handanovic dhe Onana, si do t’i menaxhoni?

Handanovic do të startojë si titullar; e meriton për sezonin që bëri, ishte i shkëlqyer. Onana është një portier i shkëlqyer, është e ardhmja e Interit, sepse ka një kontratë të gjatë. Është një trashëgimi e Interit të sotëm dhe të nesërm.

Si e imagjinoni Interin pas 12 muajsh? Me trofe të tjerë?

Le të shpresojmë se gjërat do të shkojnë mirë. Sezoni i kaluar më dha shumë kënaqësi, shpresoj t’i rijetoj disa prej tyre edhe në të ardhmen.

A do të kishte shumë trafik sulmi juaj me Dybala?

Të gjithë e njohim Dybala, është një lojtar me shumë cilësi. E ka treguar që kur ka luajtur në Itali. Tani kemi 6 sulmues në skuadër, duke përfshirë Pinamontin dhe Sanchez. Nuk më duket e saktë të flas për sulmues që nuk janë të Interit.

A janë shumë pesë sulmues?

Sulmuesi i pestë mund të jetë një lojtar i ri, por jo Pinamonti, i cili tashmë është i afirmuar, ka shënuar shumë dhe ka kërkesa. Sulmuesi i pestë duhet të jetë një lojtar i ri, që e di se ka katër sulmues përpara.

A mund të shkoni më tej në Evropë?

Historia e 11 viteve të fundit thoshte se Interi nuk mund të arrinte në turin e dytë. Skuadrat angleze janë thuajse të papërballueshme, edhe nëse ne me Liverpool-in dolëm mirë, luajtëm për kualifikim deri në fund.

A do të ketë alternativa ndaj 3-5-2 apo do të vazhdojë ky modul?

Do të provojmë diçka në këtë muaj dhe 10 ditë para fillimit të kampionatit, por unë i kam lojtarët për këtë modul. Mund të ndryshojmë edhe ne, ndoshta si ndaj Empolit në Kupën e Italisë. Klubi ka marrë dy të rinj shumë të rëndësishëm si Bellanova dhe Asllani, dy të rinj që do të na ndihmojnë. Mkhitaryan më ka pëlqyer gjithmonë, më ka vënë në vështirësi kur e kam sfiduar vitet e fundit.

Çfarë rruge rritjeje do të ketë Asllani?

Ai është shumë i ri, e ka të ardhmen përpara. Asllani e di se Interi ka një "playmaker", që ka pasur sezone të mrekullueshme. Do të duhet të mësojë prej tij. Ne e ndoqëm Asllanin, i cili është rritur në mënyrë eksponenciale në gjashtë muajt e fundit. Do të rritet përsëri.

A e humbi Interi titullin?

Nuk e di. Jemi krenarë për atë që kemi bërë, do të përpiqemi të përmirësohemi, edhe nëse nuk do të merret si e mirëqenë. Ne jemi Interi dhe kemi detyrimin që të fitojmë gjithmonë. Jam me fat që e jetoj presionin në mënyrë shumë paqësore. Ne trajnerët bëjmë zgjedhje çdo ditë, e kuptova sezonin e kaluar. Edhe Lazio ka qenë përgjegjësi e madhe.

Ku mund të luajë Bremer në mbrojtjen e Interit?

Ashtu si Dybala, unë nuk dua të flas për lojtarët e ekipeve të tjera. Nuk më duket e drejtë.