Transmetuar më 06-07-2022, 11:58

Cristophe Galtier u prezantua në konferencën për shtyp si trajneri i ri i Paris Saint Germain. Ish-trajneri i Nice e trashëgon ekipin kampion francez nga Mauricio Pochettino, por me disa probleme për të zgjidhur, duke filluar nga dualizmi mes Gianluigi Donnarumma dhe Keylor Navas, i cili ndikoi negativisht te të dy portierët sezonin e kaluar.

"Do të takohem dhe do të flas shumë shpejt me të dy portierët, – janë fjalët e Galtier. – Kam parë menaxhimin që është bërë sezonin e kaluar dhe nuk do të komentoj. Synimi im është të punoj gjithmonë me një portier titullar.

Gjithmonë do të ketë një numër një dhe një numër dy. Numri dy mund të bëhet numër një në varësi të performancës. Është më e lehtë për mua dhe për ata të njohin rolin e tyre brenda ekipit".

E ardhmja e Neymar është vënë në pikëpyetje javët e fundit. Thashethemet për largimin e tij gjatë kësaj vere janë shumëfishuar. Galtier ende shpreson ta mbajë brazilianin:

"Neymar është një lojtar i klasit botëror. Cili trajner nuk do të donte ta kishte në skuadër? Duhet të gjejmë një ekuilibër, por unë e kam një ide shumë të qartë se çfarë pres prej tij.

Nuk jam takuar ende, dua të dëgjoj mendimin e tij. Kur ke lojtarë të klasit botëror, është gjithmonë më mirë t’i kesh me vete sesa kundër".