Transmetuar më 05-10-2022, 08:13

Barça do të kthehet duarbosh në shtëpi, pasi humbi 1-0 në “San Siro” kundër Interit në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve të Champions League. Blaugranët nuk bënë një lojë fort të mirë, por arbitri mori rolin kryesor në ndeshje duke anuluar një gol të Pedrit dhe mohuar një penallti, pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Dumfries.

"Jam i inatosur dhe i indinjuar nga situata që na është dashur të kalojmë, është një padrejtësi e madhe. Gjyqtarët duhet të flasin dhe të shpjegojnë veten, ne nuk kuptojmë asgjë. Është e vërtetë që jemi zgjuar vonë, kemi pasur 30 minutat e fundit të mira, por jo me dinamizmin e duhur. Nuk i shfrytëzuam rastet”, – shpjegoi Xavi Hernández në zonën mikse, i cili mohoi se ishte ndeshja më e keqe e skuadrës së tij këtë sezon.

Për arbitrin, trajneri Blaugrana është treguar shumë i ashpër dhe ka kërkuar të japë shpjegime: “Arbitri duhet të flasë, nuk kam pse të flas për një vendim që nuk e kam marrë unë. Për mua është penallti shumë e qartë. Ai nuk donte të më jepte asnjë shpjegim. Duhet të kishim luajtur një ndeshje më të mirë, meritonim të paktën një barazim, por kjo është Champions League.

Na mungonte ritmi dhe lëvizja, sidomos në pjesën e dytë. Pra duhet të kritikojmë edhe veten. Ne meritonim më shumë, na ndodhi tashmë në Mynih, por ky është futbolli. Kjo është Champions League dhe ne duhet të luajmë me më shumë intensitet. Mungon ai talenti, vendimi i fundit i mirë, mund të kishim gjuajtur më shumë nga jashtë zonës…”.

Trajneri Blaugrana pranoi se kanë mbetur edhe tri finale, dy prej të cilave do të jenë në “Camp Nou”: kundër Interit të mërkurën e ardhshme dhe kundër Bayernit më 26 tetor.

Për sa i përket gjendjes shpirtërore, Xavi pranon se nuk shqetësohet për dy humbjet radhazi të skuadrës në Champions League: “Duhet të rikuperojmë, nuk mund të dështojmë më shumë. Në pjesën e parë nuk kemi qenë në nivelin që kërkon gara”.