Transmetuar më 05-10-2022, 09:07

Zlatan Ibrahimovic dhe Silvio Berlusconi, çfarë çifti! Sulmuesi i Milanit ka postuar në Instagram një foto me presidentin e Monza dhe ish-padronin e kuqezinjve. Ndërsa Ibra është ulur dhe shikon drejtpërdrejt nga kamera që po e filmon, Berlusconi vendos duart mbi shpatullat e gjera të 41-vjeçarit, duke e parë atë.

Postimi i suedezit, i cili ende po lufton me rehabilitimin pas operacionit në gju, plotësohet me mesazhin e koduar: "Historia nuk mund të fshihet… Dhe e ardhmja ende nuk është shkruar…"

Një surprizë e madhe për fansat, të cilët kanë nisur të komentojnë qëllimin e këtij takimi befasues. Vetë “Kavalieri”, duke dashur ta shuajë kureshtjen e miliona ndjekësve të Ibrës në rrjetet sociale, e ka shpjeguar kështu vizitën e sulmuesit të Milanit në vilën e tij në Arcore:

“Një djalë kureshtar nga Tik Tok më pyeti: Çfarë bën Ibra me ty? Dhe unë i thashë: Dua ta mësoj Ibrën se si të drejtojë një biznes”. E bukur edhe përgjigja e Ibrahimovicit: “Dhe unë dua ta mësoj Berlusconin si të luajë futboll”.

Kujtojmë se ish-presidenti historik i kuqezinjve, tashmë drejton një skuadër tjetër debutuese në Serie A, Monza. Gjithmonë ka një efekt të caktuar të shohësh Zlatan Ibrahimovic dhe Silvio Berlusconi së bashku.

Nuk ka ndodhur ndryshe edhe kësaj here, çka duket në komentet e shumtë të suedezit në rrjetet sociale. Me statusin “Historia nuk mund të fshihet… dhe e ardhmja ende duhet të shkruhet…”, Ibra i jep një tjetër dimension rikuperimit, pas operacionit në gju, dhe të ardhmes së tij si futbollist. Edhe pse 41 vjeç, ai nuk ka ndërmend të ndalet…