Transmetuar më 05-10-2022, 09:51

Ministria e Drejtësisë Italiane i ka përcjellë Brazilit kërkesën për ekstradim të ish-sulmuesit të Milanit, Robinho, i cili u dënua përfundimisht, së bashku me një shok të tij, me 9 vite burg për dhunë se*suale në grup ndaj një 23-vjeçareje shqiptare.

Incidenti i rëndë ndodhi në një klub në Milano, natën e 22 janarit 2013. Zyra e ekzekutimit të Prokurorisë Publike Milaneze u informua për dërgimin e kërkesës për ekstradimin e ish-sulmuesit të kuqezinjve në Itali, e cila muajt e fundit ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, me kërkesë për ekstradim, për ish-lojtarin, me akte të firmosura nga prokurorja Adriana Blasco.

Në shkurt, prokurori i kishte përcjellë Ministrisë kërkesën për ekstradim dhe urdhrin e arrestit ndërkombëtar për ish-sulmuesin dhe mikun e tij Ricardo Falco, të dy në Brazil. Muajt ​​e fundit ka pasur kontakte mes autoriteteve italiane dhe braziliane.

Ka të ngjarë që më pas të jetë treguar zyrtarisht nga Brazili se ku ndodhet ish-lojtari i Milanit dhe për pasojë Italia i ka dërguar dokumentet e urdhrit të arrestit (të paekzekutuar në shtet) me një kërkesë për të ekstraduar Robson de Souza Santos, 38 vjeç, për katër sezone futbollist i kuqezinjve (midis viteve 2010 dhe 2014), dhe mikut të tij.

Ka shumë mundësi që të dy të mos dorëzohen, sepse kushtetuta braziliane nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të saj. Tani, megjithatë, do t’iu mbetet autoriteteve braziliane t’i përgjigjen kërkesës italiane.

Sipas hetimeve, ish-ylli brazilian do ta kishte shtyrë vajzën shqiptare të pinte alkool deri në atë pikë sa ta mos ishte e vetëdijshme. Ashtu të dehur, grupi do ta kishte përdhunuar me radhë, pa mundur të kundërshtonte, në një gardërobë të një klubi nate në Milano, ku e reja kishte shkuar për të festuar ditëlindjen.

Në arsyet e dënimit me 9 vite burg, gjykata shkruante se ish-sulmuesi dhe “bashkëpunëtorët” e tij (katër të pagjurmueshëm) shfaqën “përbuzje të veçantë ndaj “viktimës që u poshtërua brutalisht”. Për këtë aferë, Santos, skuadra braziliane për të cilën lojtari ishte rikthyer të luante, vendosi t’ia pezullonte kontratën Robinhos, pasi në media ishte publikuar vendimi i gjyqit.