Transmetuar më 05-10-2022, 13:13

Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi sot se pedagogëve do t’u rritet rroga maksimumi 15 për qind duke theksuar se 7% e pagës do të mbulohet nga buxheti i shtetit ndërsa pjesa tjetër nga universitetet nëse kanë mundësi financiare.

Vendimi që citoi zonja Kushi nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe nuk rezulton as në vendimet që qeveria njoftoi se miratoi sot.

Megjithatë projekt vendimi u publikua ekskluzivisht nga noa.al dy ditë më parë.

Zbulohet projekt-vendimi për rritje pagash të pedagogëve në universitetet publike

Vendimi hyn në fuqi nga 1 tetori 2022 dhe vlen për pagat e pedagogëve në të gjitha universitetet publike në vend. Rritja nga shteti është 7 për qind. Kjo është rritja e parë që nga viti 2004 e pagave të pedagogëve. Ata nuk kanë marrë gjithë këto vite as indeksim pagash që është detyrim ligjor për përballimin e inflacionit.

"Kemi vendosur që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15%, ku 7% do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet nga universitetet në varësi të të ardhurave të tyre, me autonominë që gëzojnë me vendimmarrjen e tyre në senatet akademike dhe bordet e administrimit që mund të miratojnë edhe përtej këtij niveli minimal". /noa.al