Transmetuar më 02-12-2022, 10:17

Një fund që askush nuk do ta imagjinonte. Gjermania eliminohet në fazën e grupeve të Botërorit 2022. Gjermanëve nuk iu mjaftoi fitorja ndaj Kosta Rikës, me Japoninë që, duke mposhtur Spanjën, dënoi skuadrën e Flick në vendin e tretë në grupin E.

Një makth i vërtetë, me eliminimin e Gjermanisë për herë të dytë radhazi në grupe, më 2018 dhe 2022. Fansat janë dukshëm të tërbuar edhe për një detaj të zbuluar nga “Bild”.

Siç raporton gazeta gjermane, federata në fakt kishte rezervuar tashmë një fluturim kthimi përpara ndeshjes vendimtare me Kosta Rikën, detaj që e bën eliminimin të rëndojë edhe më shumë. Prandaj, Gjermania do të niset të premten në orën 14:30 nga Doha për në Frankfurt.

Manuel Neuer bëri historinë – Manuel Neuer u bë mbrëmë, me ndeshjen ndaj Kosta Rikës, portieri me më shumë ndeshje të luajtura në Kupat e Botës në të gjithë historinë. Portieri 36-vjeçar i lindur në Gelsenkirchen luajti ndeshjen e tij të 19-të në një Kampionat Botëror, duke kaluar Sepp Maier, një tjetër legjendë të Bayernit, si ai, dhe legjendën braziliane Claudio Taffarel, të dy me nga 18 ndeshje.

Kanë kaluar 12 vite, 5 muaj e 18 ditë që kur Neuer bëri debutimin e tij në Kupën e Botës. Kjo ndodhi më 13 qershor 2010 në një fitore 4-0 kundër Australisë. Që atëherë, portieri i Bayernit ka qenë i pranishëm në të gjitha ndeshjet e luajtura nga kombëtarja gjermane në Botëror.

Katari është Botërori i tij i katërt, një kompeticion në të cilin i ka përjetuar të gjitha emocionet e mundshme: eliminuar nga Spanja në gjysmëfinale, në Afrikën e Jugut 2010; kampion kundër Argjentinës në Brazil 2014; u eliminua në fazën e grupeve, për herë të parë në historinë e "Mannschaft", në Rusia 2018.

Pas dy ndeshjeve të para të fazës së grupeve në "Katar 2022", portieri i Bayernit tashmë kishte mposhtur figura të tjera historike si Casillas, Shilton, Barthez dhe Zoff. Neuer është lojtari i gjashtë me më shumë paraqitje (117) në kombëtaren gjermane.