Transmetuar më 02-12-2022, 12:27

Lufta e përgjakshme në Kosovë, genocidi i ushtruar nga serbët atje, ka ndikime serioze edhe në futboll. Madje, edhe kur përballen serbët me Zvicrën, në radhët e së cilës janë dy liderë shqiptarë të Kosovës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Nisur nga ky fakt, por edhe ajo që ndodhi në Botërorin e Rusisë, katër vite më parë, ku dy shqiptarët e kombëtares helvete i festuan me shqiponjë golat e tyre triumfues, gazeta britanike “The Guardian” i kushton vëmendje duelit të sotëm mes këtyre dy kombëtare në “Katar 2022”. Ja shkrimi i plotë:

“Pikat e ndezjes ishin sinjalizuar mirë. Kur Serbia dhe Zvicra u takuan në Kaliningrad në ‘Rusia 2018’ ishte e qartë që në fillim se askush nuk do të dorëzohej në heshtje. Vendimi i Xherdan Shaqirit për të treguar vendin e lindjes me një flamur të Kosovës të qepur në këpucët e tij sportive kishte nxehur situatën, dhe, kur Granit Xhaka festoi golin e barazimit duke formuar një shqiponjë shqiptare me duar, tensionet veçse u ndezën.

Të dy lojtarët e përsëritën gjestin kur Shaqiri shënoi golin e fitores dramatike në minutën e fundit, duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër. Akuzat ishin të gjata, të zhurmshme dhe përfunduan me gjoba të shumta nga FIFA.

Duke pasur parasysh se skuadrat takohen sërish sot me një ndeshje po aq të rëndësishme, është e drejtë të pyesim veten se sa të zënë mund ta gjejnë veten shefat disiplinorë gjatë fundjavës. Në ‘Stadiumin 974’ nuk do të ketë një liri të tillë dhe kushdo që do të shfrytëzojë rastin do t’i marrë të gjitha. Serbia duhet të fitojë dhe të shpresojë që Brazili të mos humbasë kundër Kamerunit. Një pikë do të mjaftojë për Zvicrën, nëse lojtarët e Rigobert Song nuk befasojnë Brazilin.

Katër vite më parë, armiqësitë ishin ndezur publikisht. Aleksandar Mitrovic ishte ndër ata që vuri në dyshim zgjedhjen e këpucëve sportive të Shaqirit. Serbia refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe përballet me Shaqirin e Xhakën, të cilët të dy nënshkruan një peticion në FIFA 10 vite më parë duke premtuar mbështetje për atë që u bë kombëtarja zyrtare e Kosovës.

Megjithatë, pjesa më e madhe e ndërtimit të përballjes së tyre të fundit i ngjan një kongresi shenjtorësh. Ishte e qartë të martën, kur Sergej Milinkovic-Savic dhe Dushan Tadic thanë nga baza stërvitore e Serbisë ‘Al Arabi’ se askush nuk e kishte mendjen te karremi patriotik.

“Nuk ka dyshim se ishte presion i madh katër vjet më parë, por ne duhet të fokusohemi te futbolli dhe të tregojmë se mund të luajmë më mirë se ata”, – ka thënë Tadic kur u pyet se si do ta trajtonte Serbia ndeshjen këtë herë. Shoku i tij i skuadrës u pajtua fjalë për fjalë me përgjigjen. Asnjëri nga lojtarët nuk priste që emocionet të rriteshin. Prioriteti ishte thjesht të shikonin veten.

Mitrovic dha një deklaratë të ngjashme, duke thënë: “Ishte një lojë ndryshe, ne nuk po mendojmë për atë që ndodhi më parë”.

Problemi është se konteksti më i gjerë tenton të fshihet nën sipërfaqe dhe të minojë çdo fjalë të shkruar mirë. Serbia është nën hetimin e FIFA-s për shfaqjen e një flamuri që tregon Kosovën si pjesë të vendit të tyre, së bashku me fjalët “Ne nuk dorëzohemi”, në dhomat e zhveshjes para ndeshjes së tyre hapëse kundër Brazilit.

Kjo nuk kaloi pa u vënë re në Kosovë, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që e përshkroi imazhin si “të urryer, ksenofobik dhe gjenocidal”. Federata e Futbollit të Kosovës e quajti atë një “aksion agresiv”. Plagët nga lufta e tmerrshme midis forcave lokale dhe Serbisë moderne, të nisura në vitet 1990, nuk do të shërohen kurrë plotësisht.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Serbia, ka qenë kaq e vendosur në disiplinimin e mesazheve këtë javë. Pas ndeshjes së vitit 2018, federata e tyre u gjobit me 41 mijë stërlina për shkak të banderolave dhe mesazheve diskriminuese nga tifozët. Trajneri i tyre në atë kohë, Mladen Krstajic dhe presidenti i atëhershëm i federatës, Slavisha Kokeza, gjithashtu morën dënime me para për sjelljen e tyre.

Xhaka dhe Shaqiri u gjobiten nga 7600 stërlina për festimet e tyre me shqiponjë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama dha mbështetjen e tij me një iniciative të grumbullimit të fondeve “Mos ki frikë nga shqiponja”, që mblodhi mjaftueshëm para për t’i shlyer ato gjoba pothuajse menjëherë. Dy muaj më vonë, Xhaka, djali i mërgimtarëve nga Kosova, premtoi se “një gjë e tillë nuk do të ndodhë më kurrë”. Në disa qarqe të Zvicrës ai dhe Shaqiri u panë vëngër për fokusimin e tyre në Kosovë, duke festuar me shqiponjë pasi shënuan.

“Nuk ka asgjë në histori pas këtyre dy ndeshjeve. Ne jemi Zvicra, ata janë Serbia dhe kaq. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, ashtu si ata”, – tha Xhaka këtë javë, duke i bërë jehonë tonit paqtues të homologëve të tij serbë.

Zvicra është paraqitur në mënyrë modeste, por është rritur që nga Botërori i fundit. Serbia është ndër ekipet e forta, por ende nuk e ka shfaqur veten. Ka presion mbi trajnerin, Dragan Stojkovic, për t’i dhënë Dusan Vlahovicit startin e tij të parë në “Katar 2022” dhe për të formuar një dyshe potencialisht vdekjeprurëse me Mitrovic.

“Ne jemi të lumtur të fokusohemi te futbolli dhe të respektojmë njëri-tjetrin”, – tha trajneri i Zvicrës, Murat Yakin. Mbetet për t’u parë nëse ndonjë armiqësi e zjarrtë do të marrë jetën e saj edhe një herë”.