Transmetuar më 05-12-2022, 21:38

Një kilometër rrugë në Shqipëri, si ato që janë dhënë me koncesion 35-vjeçar kushton më shumë se në vendet e bashkimit europian.

Qeveria shqiptare ka dhënë së fundmi me koncesion rrugën Lekaj-Fier, e cila është një rrugë nacionale ekzistuese me katër korsi.

Në buxhetin e vitit 2022 kjo rrugë është projektuar me kosto në vlerën e 320 milionë eurove, për vetëm 46 kilometra.

Shtatë milionë euro do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë, pa përfshirë këtu interesat bankare të koncesionarit, vetëm për zgjerimin e rrugës për korsitë e emergjencës dhe mbikalimet në këtë segment rrugor.

Sakaq, studimet e fizibilitetit nuk janë publike.

Pas përfundimit të maturimit të kredive që do të marrë koncesionari, çmimi për një kilometër rrugë mund të dyfishohet.

Ndërkohë një shembull tërësisht më i lirë vjen nga Greqia fqinje, e cila ka ndërtuar shumicën e rrugëve nacionale me fondet e para-anëtarësimit nga BE, ndërsa edhe tani si anëtare e Unionit, shteti helen vazhdimisht kërkon fonde për ndërtimin e autostradave.

Në 2020-ën Komisioni Evropian miratoi 300 milionë euro fonde për ndërtimin e pjesës veriore të autostradës E65 nga Trikala në Grevena, që nuk është ekzistuese.

Kjo pjesë e rrugës 70.5 km e gjatë është llogaritur për t’u ndërtuar me 442 milionë euro, 6.2 milionë euro për km, shumë më lirë se ajo e jona.

Por jo gjithçka mbaron këtu, kjo rrugë do të çajë malin, ndryshe nga projekti në Shqipëri dhe ka katër tunele në total.

Veprat që do të ndërtohen në këtë rrugë janë tunele me gjatësi totale 900 metra, 31 ura / mbikalime, gjashtë nyje dalëse, dy Qendra Operimi dhe Mirëmbajtje, si dhe një stacion pagese.

Ndërkohë në të gjithë gjatësinë e projektit do të ndërtohen zona parkimi dhe pushimi, si dhe një rrjet i ri rrugor dytësor për t’i shërbyer zonave fqinje.

Pra, më shumë kilometra, më shumë vepra arti dhe mbi 80% e financuar nga Bashkimi Europian.

Ndërsa rruga Lekaj Fier, sipas citimeve  në Top Channel të drejtuesve të ministrisë së Infrastrukturës, do të ndërtohet e re në vetëm 3.2 kilometra, do të shtohen rrugë dytësore atje ku mungojnë dhe do të bëhen tre ose katër nënkalime dhe sigurisht pika për të mbledhur gjobën e re për shqiptarët që do të kushtojë 1.3 miliardë euro në 35 vite.