Transmetuar më 03-01-2023, 15:06

Tokio- Nëse Shqipëria po vuan për të mbajtur të rinjtë e vet në atdhe, në Japoni i japin para të rinjve për tu larguar nga kryeqyteti Tokio. Qeveria e Japonisë do t’i japë 1 milion Jen secilit të ri, që vendos të largohet. Kjo shumë konsiston me 7600 dollarë.

Nëse këtë shumë do t’ua jepnin në Shqipëri të rinjve për tu larguar nga Tirana, e sigurt se me ato para do të paguanin gomonen për të shkuar në Angli dhe do të mundoheshin të krijonin një jetë të re në ishull. Por situata në Japoni është ndryshe dhe ky paralelizëm është sureal.

Ky vendim i qeverisë japoneze synon të ulë mbipopullimin e kryeqytetit dhe rënien demografike në rajonet e tjera të Japonisë. Kështu, familjeve që zhvendosen do t’u jepen 7600 dollarë për fëmijë në momentin që zhvendosen nga Tokio e mbipopulluar ne komunat jashtë qytetit dhe prefekturave përreth tij.

Gjysma e parave do të ofrohen nga qeveria dhe gjysma tjetër nga bashkitë lokale. Ata që marrin paratë duhet të qëndrojnë në periferi për një minimum prej pesë vjetësh ose përndryshe do të duhet t’i kthejnë paratë shtetit. Qeveria shpreson se 10,000 njerëz do të kenë lëvizur nga Tokio në zonat rurale deri në vitin 2027.

Popullsia në rënie, plakja e Japonisë dhe migrimi i të rinjve në kryeqytet kanë goditur në mënyrë dramatike rajonet përtej Tokios, Osakës dhe një pjesë të vogël të qyteteve të tjera të mëdha. Tokio është kryeqyteti më i populluari në botë, me një popullsi afro 14 milion njerëz.