Transmetuar më 19-08-2023, 13:42

Disa ditë më parë, pamjet e një grupi turistësh italianë që u larguan pa paguar faturën pasi konsuamuan darkën në një prej restoranteve të Beratit kanë bërë xhiron e rrjetit në Shqipëri, por jo vetëm.

Lajmi shkaktoi reagime të ndryshme si në mediat tona ashtu edhe ato italiane, nuk kaloi pa u komentuar edhe nga ambasada Italiane në Tiranë, e cila ka treguar se kanë bërë pagesën në restorantin në Berat, prej të cilit u larguan pa paguar disa shtetas italianë.

Përmes një njoftimi në Facebook, Ambasada shkruan se pagesa është bërë pas porosisë së dhënë nga kryeministrja Giorgia Meloni.

Kaq ka mjaftuar që ky lajm të zinte titujt e parë në disa të përditshme italiane, të cilat nuk e kanë kursyer ironinë e tyre me gjestin e Melonit.

Therëse është ironia e të përditshmes “Il Tempo” e cila në faqen e parë të saj ka publikuar një foto-montazh me një dialog të improvizuar mes Melonit dhe kryeministrit Edi Rama me diçiturën:

“Giorgia, a mund të na lesh dhe ndonjë bakshish për cunat?”

Ditën e djeshme ishte kryeministri Edi Rama i cili ndau lajmin se homologia e tij italiane kishte kërkuar të paguhej fatura në restorantin ku shtetasit italianë u larguan me vrap pa paguar.