Transmetuar më 03-10-2023, 21:22

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sulmi terrorist në veri lidhet me liderët serbë. Në një intervistë për CNN, Osmani ka thënë se ditët në vijim do të publikohen dëshmi të reja që tregojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç qëndron prapa sulmit dhe ka dhënë urdhra.

“Fillimisht ata ndërtuan baza ushtarake në linjën prej 400 kilometrash dhe dëshironin që të ketë në fillim tensione në veri dhe me pas sulmi. Kjo do t’i ndihmonte Vladimir Putinit të hapte një front të ri të luftës. Kjo ishte sikurse ajo koha e Slobodan Milosheviç gjatë viteve 90-ta”, tha Osmani.

Osmani tha se çdo evidencë që kanë nga ky sulm lidhet me liderët e shtetit serb.

“Ka pasur video të qarta se si grupi i Radoiçiç ushtrohet në shtetin serb. Gjithashtu edhe armët që i kemi kapur, ato nuk janë të njerëzve të rëndomtë. Lidhjen e Radoiçiq me Vuçiqin e shohim edhe në takime të ndryshme kur ata shihen bashkë. Në ditët në vijim do të publikojmë dëshmi të reja që tregojnë se Vuçiç është pas kësaj dhe ka dhënë urdhra. Në fillim kishte një kampanjë të fuqishme të agresionit para se sulmi të ndodh”, tha Osmani.