Transmetuar më 16-10-2023, 15:09

TIRANË- Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet sot në Tiranë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi paraprakisht kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth. Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe për procesin e dialogut.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.

“Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se u bisedua edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Kryeministri Kurti e falënderoi Michael Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Republikës së Kosovës. Ky ishte takimi i dytë mes të dyve, pas atij të mbajtur në Prishtinë më 11 shtator.