Transmetuar më 17-10-2023, 07:10

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencën për shtyp në mbyllje të Samitit të Berlinit në Tiranë, u shpreh se konflikti midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet përfundimisht.

Kancelari ka dënuar sulmin ndaj policisë në veri të Kosovës dhe kjo sipas tij, “është e papranueshme”.

“Gjermania është shumë e qartë në lidhje me këtë, por duhet të ketë një hetim të plotë që duhet të bëhet nga autoritete e Kosovës dhe është e rëndësishme që autoritetet serbe të bashkëpunojnë në këtë drejtim.”, nënvizoi kancelari.

Scholz tha se Gjermania e kupton shumë mirë situatën në Ballkanin Perëndimor, por theksoi se duhet parë nga e ardhmja dhe jo e kaluara.

“Duhet të zgjidhen të gjitha problemet para se të jemi pjesë e BE-së. S’mund të integroheni në BE duke marrë me vete problemet që keni këtu.

Vlerësojmë reformat që janë marrë dhe aspekte të tjera, por kjo është përgjigja ime në lidhje me situatën në Kosovë me Serbinë.

Në lidhje me integrimin për ne janë të rëndësishme marrëveshjet e sotme që u nënshkruan mes vendeve.

Duhet të zgjidhim një herë e mirë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.”, theksoi Scholz.