Transmetuar më 17-10-2023, 16:30

Liberalizimi i vizave për Kosovën, Macron nxit aludime pesimiste: "Po e them shumë qartë. Kemi bërë një gjest nga besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr, sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. Sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga të dyja autoritetet [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është kusht për paqe në gjithë rajonin," tha Makron në konferencë me kryeministrin Edi Rama

Tiranë – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, aludoi sot në Tiranë se Franca është duke parë opsionin e pezullimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, vendim që duhet të hynte në fuqi më 1 janar 2024.

Duke folur mbi këtë çështje, Macron tha sot në Tiranë se Franca bëri një "gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën", duke shtuar:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë.

E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron, kur njoftoi se është anuluar heqja e vizave për Kosovën ndërkohë që Serbia ka vite që lëviz lirshëm në zonën Shengen.

Por çfarë efekti ligjor kanë deklaruara e Francës? Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën në radion Evropa e Lirë në Pragë, që përqendrohet në mbulimin e temave që kanë të bëjnë me BE-në dhe NATO-n, tha se nuk ka një mekanizëm në BE që mund të zhbëjë një vendim të tillë.

“Faktikisht, ju duhet të krijoni një ligj të ri për të zhbërë atë vendim [për liberalizimin e vizave për Kosovën] dhe askush nuk e ka iniciuar një gjë të tillë.

Kjo është diçka që do të duhej të kalonte nëpër të gjithë mekanizmat dhe ne jemi në muajin tetor tani dhe liberalizimi i vizave është caktuar të hyjë në fuqi më 1 janar. Pra, nëse flasim teknikisht, në aspektin politik është diçka e pamundur”, tha ai.

Jozwiak tha se pezullimi i vizave mund të nxitet bazuar në të dhëna konkrete të një sërë gjërash, që lidhen me një numër të lartë të azilkërkuesve për shembull që vijnë nga Kosova, nëse procesi i riatdhesimit nuk funksionon. Por të anulohet një vendim që ende nuk ka hyrë në fuqi, nuk ka bazë ligjore.

“Duhet kohë pasi të ketë nisur liberalizimi i vizave në mënyrë që të iniciohet pezullimi i vendimit. Nuk mund të bëhet kjo më parë ose më 1 janar sepse mbi çfarë të dhënash? Ka gjëra shumë specifike që shërbejnë si bazë për të parandaluar që njerëzit të mos e keqpërdorin liberalizimin”, theksoi ai.

Jozwiak e vlerësoi deklaratën e Macronit më shumë si një “shantazh emocional”.

Kurse theksoi se, për ta pezulluar këtë vendim, duhet të merret një tjetër vendim në Këshill për një gjë të tillë.

Por një burim diplomatik në Bruksel ka thënë se pezullimi është i mundshëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së, duke përdorur “Rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ të vitit 2018.

Për një gjë të tillë, duhet të bëhet propozimi ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtar. Pastaj vendet anëtare në Këshill mund të marrin vendimin për pezullimin eventual.

“Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtar i BE-së, për momentin nuk e ka propozuar pezullimin e vizave për Kosovën apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politik, ajo këtë mund edhe ta bëjë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.

Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej:

1.Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.

2.Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.

3.Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.

4.Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

Deri tani vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit dhe ishte Holanda, në vitin 2019, që kërkoi të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.

Si arsyetim kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë, të përfshirë në krimin e organizuar në Holandë, paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e kishte refuzuar këtë kërkesë.