Transmetuar më 17-10-2023, 22:55

KOSOVË- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka komentuar deklaratën e sotme të presidentit francez, Emanuel Macron në Tiranë, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Osmani e ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se tashmë kjo gjë u qartësua dhe se ishte një gabim në përkthim. Po ashtu presidentja është treguar e gatshme që t’i jap çdo qartësim që presdenca franceze kërkon, në lidhje me situatën në veri.

“Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, tha Osmani.