Transmetuar më 29-10-2023, 21:29

SHKUP- Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka pritur në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në takim u diskutua për procesin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe situatën aktuale në rajon.

Gjithashtu u shkëmbyen informacione për fazat e ardhshme të negociatave pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe për dinamikën e zbatimit të reformave.

Një nga temat e diskutuara ishte dhe raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat, si dhe për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, gjatë të cilit presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj politikës të zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim u shkëmbyen mendime për rëndësinë strategjike të zbatimit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe implikimet e mëtejshme në perspektivën evropiane të vendit.

Von der Leyen ditën e nesërme do të zhvillojë takim dhe me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski. Ajo po ashtu do të vizitojë edhe një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve të financuar nga programi evropian IPARD. Në axhendën e zyrtares së lartë të BE-së, për momentin nuk janë paraparë takime me drejtuesit e opozitës maqedonase nga të cilët varet nëse do të miratohen apo jo ndryshimet kushtetuese deri në dhjetor, pas së cilës do të dihet nëse Këshilli Evropian do ta marrë vendimin që Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut të nisin fazën e dytë të negociatave të anëtarësimit.